Secondary Adv

Taksa mjetesh të papaguara nga 2012, 170 mln USD detyrime, nis verifikimi

Deri në qershor 2025, nga verifikimet në Regjistrin Kombëtar të Mjeteve dhe sistemin e DPSHTRR-së, rezultojnë 249,882 mjete debitorë në shkallë vendi.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në bashkëpunim me institucionet përkatëse kanë shtuar masat në zbatim të planit të përvitshëm operacional për mbledhjen e detyrimeve të papaguara për taksat vjetore të mjeteve rrugore.

 

Deri në qershor 2025, nga verifikimet në Regjistrin Kombëtar të Mjeteve dhe sistemin e DPSHTRR-së, rezultojnë 249,882 mjete debitorë në shkallë vendi.

 

Shuma totale e borxhit të papaguar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP) dhe taksën e mjeteve luksoze (TVML) kap vlerën e rreth 17 miliardë lekëve, ose afërsisht 170 milionë USD, me detyrime që datojnë nga viti 2012 deri më Qershor 2025.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor sqaron se ka si qëllim ndjekjen e vazhdueshme të debitorëve dhe uljen e numrit të tyre në zbatim të ligjit nr.9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar dhe Udhëzimit të Ministrit të Financave nr. 26, datë 04.09.2008 “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar,

 

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit si fillim e debitorit njoftohet me mesazh të personalizuar nëpërmjet e-Albania, ku njoftohet për shumën e papaguar të taksave të makinave (përfshirë principalin, gjobat dhe kamatëvonesat). Njoftimi përmes e-Albania është një risi që ka nisur të zbatohet prej disa muajsh.

 

Me tej pronarit debitor të mjetit nuk i ofrohet asnjë nga shërbimet prej transportit rrugor, përfshirë moskolaudimin e mjetit apo procedurat për ndryshimin e pronësisë.

 

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor në fillim të vitit, lista e plotë e debitorëve i është dërguar Drejtorive Rajonale të Tatimeve, me qëllim marrjen e masave për mbledhjen e taksave të papaguara për makinat nga bizneset, si dhe Drejtorive Rajonale të Policisë sipas qarqeve. 

 

Ku për rastet e evidentuara të qarkullimit të mjetit në mungesë të kolaudimit, drejtuesi penalizohet me gjobë ose sekuestrim mjeti. Të dhënat e debitorëve i janë dërguar edhe Bashkive, të cilët janë arkëtues 25% të taksave vjetore të mjeteve.

 

Sa pronarë mjetesh përfituan në 2017 nga falja e taksave

 

Në 2017 qeveria miratoi ligjin nr. 33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes /shuarjes së detyrimeve tatimore” ku përfituan pronarët e makinave dhe biznesi që kishte detyrime të papaguara në Dogana e Tatime.

 

DPSHTRR tha së zbatim të ligjit të mëparshëm kanë përfituar pronarët e 93,522 mjeteve.

 

Për mjetet rrugore ligji parashikonte, çregjistrim të mjetit pa detyrime nëse nuk është kryer asnjë veprim që nga 2011 dhe shuarje e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën 2011–2014, me kusht që të paguhen taksat nga 2011 e në vijim, nëse mjeti do të mbetet në qarkullim.

 

Ligji parashikonte gjithashtu, se për ata pronarë të makinave që nuk do të paraqiten brenda 6 muajve të çregjistrojnë mjetin, çregjistrimi do të kryhet nga Drejtoria e Transportit dhe targa do t’i kalohet Policisë së Shtetit për të ndaluar qarkullimin.

 

Për ata pronarë makinash që duan të mbajnë mjetin në qarkullim, u falen taksat para 2011-s, por nga ana tjetër duhet të paguajnë taksat deri në 2014-n, me përfitim vetëm falje gjobe dhe kamatëvonesash. / Monitor(https://monitor.al/taksa-mjetesh-te-papaguara-nga-2012-nis-verifikimi-per-250-mije-debitore-me-170-mln-usd-detyrime/)


Më të lexuarat